Stich Simon Marius

Simon Marius

Matematikan - Mjek - Astronom

1573 – 1624

Simon Marius (Mayr)

Një përshkrim i shkurtër i rrjedhës së jetës dhe i rezultateve shkencore

Matematikani, mjeku, astronomi dhe hartuesi i kalendarëve nga Gunzenhausen-i Simon Mayr (1573–1624), i vetëquajtur Marius, ishte një matematikan i oborrit në Ansbach. Ai i zbuloi Hënat e Jupiterit në të njejtën kohë me Galilei-n, por i publikoi zbulimet e tij pas Galilei-t dhe kjo ishte arësyeja që ky i fundit e akuzoi për plagjiaturë. Sot është e qartë se Marius-i jo vetëm që i zbuloi Hënat e Jupiterit në mënyrë krejtësisht të pavarur nga Galilei, por edhe se vëzhgimet e tij ishin pjesërisht disi më të sakta. Madje që në kohën kur ende ishte gjallë, ai njihej si europiani i parë që ka përshkruar Galaksinë e Andromedës.

Rrjedha e jetës

Marius-i ka lindur në janar të vitit 1573 në Gunzenhausen dhe ka vdekur në Ansbach, në 26 dhjetor të vitit 1624. I ati, Reinhard Marius, punoi për një farë kohë si kryetar i bashkisë, ndërsa e ëma quhej Elisabetha. Në vitin 1606 Marius-i u martua me Felicitas Lauer, të bijën e botuesit të librave të tij nga Nürnberg-u, Hans Lauer (1560–1641). Çifti pati së bashku të paktën dy djem pesë vajza.

Vendimtar për arësimimin e tij ngjan të ketë qenë fakti që Konti Georg Friederich e dëgjoi një herë Marius-in tek këndonte. Regentit i ka pëlqyer aq shumë kjo gjë saqë vendosi ta rregjistronte në Shkollën Princërore të Heilsbronn-it, të cilën Marius-i e mbaroi në vitin 1601, duke u bërë njëkohësisht edhe nxënësi më i famshëm i saj. Por plani i studimeve në Könisberg nuk u realizua. Në vend të tij, Markus-i mundi të udhëtonte në vitin 1601 në Pragë, tek Tycho Brahe (astronom i njohur, shën. i përk.). Më pas ai studoi për mjeksi deri në vitin 1605, pikërisht në Padova ku duhet të jetë takuar edhe me Galilei-n. Në vitet 1604–1605 ai ishte anëtar i këshillit të „Organizatës së studentëve gjermanë“ në Padova. Që prej vitit 1606 e deri në vdekjen e tij në vitin 1624 (sipas kalendarit gregorian, në 5 janar 1625), ai punoi si matematikan i oborrit në Ansbach.

Veprimatria shkencore

Në vitin 1594 Marius-i nisi hartimin e hartave meteorologjike. Midis viteve 1601–1629 u publikuan kalendarët vjetorë të tij: Prognosticon astrologicum. Marius-i vërtetoi se zotërontre aftësi të shkëlqyera matematikore që në vitin 1610 dhe përgatiti për botim në Ansbach përkthimin e Die Ersten Sechs Bücher Elementorum Euclidis (Gjashtë librat e para të Elementorum Euclidis). Që në epokën parateleoskopike ai vërtetoi të ishte një vëzhgues i stërvitur, gjë që u dallua në publikimet mbi kometat në vitin 1596, si dhe me përcaktimin saktësisor të pozicionit të Supernovës në Yllësinë e mbajtësit të gjarpërit (greq. Ophichus, shën. i perk.), në vitin 1604. Me ndihmën e mbështetësit të tij Johannes Philipp Fuchs nga Bimbach-u, Marius-i mundi të përdorte në verën e vitit 1609 një teleskop belg. Me ndihmën e këtij të fundit, sipas thëneve të tij, ai zbuloi Hënat e medha të Jupiterit, pikërisht në 29 dhjetor të vitit 1609, sipas datës juliane - d.m.th. një ditë pas Galilei-t, i cili të dhënat e tij i jepte në stilin gregorian. Për këtë ai raportoi për herë të parë në Prognosticon në vitin 1612.

Rezulatet e tij shkencore Marius-i i publikoi në Mundus Iovialis dhe duke u mbështetur pikërisht në këtë, konkurrenti i tij i famshëm italian e akuzoi për plagjiaturë në Saggiatore, në vitin 1623. Galilei e kishte siguruar që në mars të vitit 1610 prioritetin e tij nëpërmjet Siderus Nuncius (Mesazhi yllësor), por Marius-i vëzhgoi disa detaje që Galilei nuk i kishte vënë në dukje. Ai vuri re se trajektorja e Hënave të Jupiterit ishte e devijuar lehtësisht në raport me nivelin ekuatorial dhe ekliptikën, gjë që mund të shpjegonte devijimet në gjerësi. Mariusi arriti gjithashtu në përfundimin se ndriçimi i Hënave është i ndryshyeshëm dhe përllogariti rreth 1630 tabela për vitin 1608.

Marius-i i përmend vëzhgimet mbi Venusin në një letër të verës së vitit 1611, ndërsa njollat diellore ai i vëzhgoi që në gushtin e vitit 1611 e më pas, në nëntor, ai zbuloi se lëvizja e njollave diellore, e me këtë dhe niveli ekuatiorial, devjonte në raport me ekliptikën. Në vitin 1619 ai hodhi i pari hipotezën e periodicitetit të tyre. Marius-i ishte i pari europian që vëzhgoi Galaxinë Andrometa në dhjetorin e vitit 1612, ndërsa në periudhën nëntor-dhjetor të vitit 1618 ai ndoqi kometën e tretë dhe njëkohësisht, më të madhen e tre kometave të atij viti.

Megjithëse Marius-i i njihte të gjitha zbulimet më të rëndësishme astronomike të fillimit të shekullit të 17-të, ai nuk e pranoi idenë e pozicionit heliozentrik duke favorizuar botëkuptimin tychonistik. Në këtë botëkuptim ai kishte ardhur në mënyrë krejt të pavarur nga Brahe, pikërisht kur në dimrin midis viteve 1595–1596 kishte lexuar për herë të parë Copernicus-in.

Për një kohë të gjatë vepra e Marius-it qëndroi nën hijen e rëndë të plagiaturës, derisa në fillim të shekullit të 20-të u vërtetua plotësisht se Marius-i kishte bërë zbulimet shkencore në mënyrë krejtësisht të pavarur, dhe se vëzhgimet e tij më të hershme janë pjesërisht më të afërta me përfytyrimin modern se ato të Galilei-t.

Vlerësime

Në vitin 1612 Marius-i u nderua nga qyteti i Gunzenhausen-it me kupën e argjendë. Emërtimi në shekullin e 20-të të Hënave të Jupiterit me emrat e dashurive të Zotave sipas mitologjisë greke, i ka rrënjët tek Marius-i, i cili nga ana e tij u nxit për këtë nga Johannes Kepler në Regensburg, në vitin 1613.

IAU (Unioni Ndërkombëtar i Astronomisë) e nderoi Marius-in duke i dhuruar një prej kratereve të Hënës si dhe fqinjit të tij emrin “Marius Hill” dhe “Rima Marius”. Në vitin 2014 IAU i dha asteroidit të emërtuar provizorisht “1980”, emrin “7984 Marius”. Një gjimnaz në Gunzenhausen ka marrë gjithashtu emrin e tij, ku ekziston dhe një tabelë përkujtimore. Një prej sallave në qendrën e konferencave Onoldia në Ansbach është emërtuar „Salla-Simon-Marius“. Në vitin 1991 „Lions-Club“ finanzoi ngritjen e një monumenti për Marius-in në sheshin „Kleiner Schloßplatz“, të krijuar nga artisti Friedrich Schnelle nga Mynihu. Në një seri qytetesh të lidhura me jetën e Marius-it, ka gjithashtu një numër rrugësh me emrin e tij.